Berlin, Berlin

Berlini ka shumë atraksione, siç thotë edhe një këngë “Berlin-Berlin”, nga falafelli libanese, kebabat e doner dhe kombet e ndryshme. Berliner janë edhe shqiptarët e serbët. Nga historitë e shumta e deri tek kryeqyteti kulturor i Evropës ku tani jetojnë shumë artist dhe punëtorë nga e tërë bota. Berlini mund të bëhet kryeqendra e zgjidhjes së problemeve tjera të Ballkanit bashkë me Parisin, por për ta bërë këtë ka shumë parakushte

Qyteti i murit. Kjo e kishte shtyrë tërë botën të mendoj për historinë tragjike të një politike. Ka kaluar shumë kohë që prej deklaratës “Ich bin ein Berliner”, që presidenti i atëhershëm amerikan John F. Kennedy e kishte bërë në këtë qytet (26 qershor, 1963). Shumë dekada kishte kaluar deri tek “fryma e ndryshimeve”, kur rreth murit po shpërthente liria. Dy Gjermanitë, DDR dhe Gjermania apo dikur në Kosovë u kanë pas thënë “Gjermania e mirë” dhe “Gjermania e keqe”, u bashkuan si një popull i ndarë. Historia e trishtë e gjithë botës ishte kthyer edhe në një torturë tjetër të pakuptimtë për një popull të tërë duke krijuar paralelisht një mënyrë të re dhunë.

Në një burg të torturave të Stasit, jo larg murit të dikurshëm pata takuar një ish të burgosur. Në atë burg mbaheshin njerëzit të lidhur me kokë në kova uji. Ai kishte qenë aty për vite për shkak të një grafiti.

E gjithë kjo histori tani është vetëm një muze i një periudhë të pakuptimtë. Rënia e murit nxiti atë që tani e quajnë “pranverë”, revolucionet e shumta nëpër tërë Evropën kundër regjimeve të hekurta të Evoropës. Polonia, Hungaria, Rumania e Shqipëria e vende më radhë. Kjo për Evropën i dha kuptim të drejtës dhe për pak kohë të gjithë besuan në llogari të ndryshimeve dhe emancipimit. Tani kjo gati është harruar. Lufta e Dytë Botërorë i dha vulë historisë së njerëzimit. Në njëfarë formë dëshmitë tregojnë se njeriu mund të shpik gjithçka nga gjërat e dobishme, robotët që tani flasin, e deri tek dhomat me gaz. E keqja dhe e mira duken si të pafundme. Berlini arriti më vonë ta kthej historinë dhe ta retushoj komunizmin. Kur flitet për ndonjë qytet në zhvillim tani shtypi botërorë thotë shembull “Berlini i Ballkanit ose New Berlin”.

Në këtë mes Jugosllavia nuk u nda si shteti i dikurshëm ceko-sllovak: një javë diskutime, firmosje në fund një koktel rasti. Këtu rrëfimin e dinë të gjithë. Por, sikur historia do të ishte më alternative se jo që ka ndodhur kush e di se çfarë do të kishte ndodhur. Atmosfera në Berlin në vendet e Ballkanit u zhvillua më afër kur atje arritën liderët e këtyre shteteve. Nga samiti i Berlinit është pritur shumë, por edhe kësaj radhe kryesisht gjërat vijuan në mënyrë tradicionale: para se të shkohej u ngritën tensionet dhe u zbehën pritjet, gjatë u thanë shumë gjëra dhe më pas po ashtu. Ajo që dinë qytetarët është se ende nuk dihet. Kriza politike në mes të Kosovës dhe Serbisë është e zgjidhshme. Por, problem ashtu si edhe në “çdo religjion” qëndron tek interpretimi i lirë i atyre që e lexojnë situatën.

Pas dështimeve në Bruksel dialogu tek zyrat e shefes për politikë të jashtme dhe diplomaci të BE-së, Federica Mogherini, incidentet që para ishin “luftëra fundjavash”, tani u kthyen në incidente sporadike.

Kosova dhe Serbia kanë shprehur gatishmëri për ta zgjidhur problemin. Por, diplomacia e “ping-pongut” në këtë rast ka dështuar. Historia e dialogut ekziston, por edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe pas saj, e vetmja marrëveshje është ajo që njihet si “marrëveshja e Brukselit”. Problemi ka nisur që para bisedimeve. Ky dialog për ta pajtuar Kosovën dhe publikun shqiptar ishte quajtur dialog teknik, për Serbinë ishte e rëndësishme të mos paragjykohej statusi, por dialogu më vonë kaloi në dialog politik. Publiku sërish ngeli pa përgjigje. Nga niveli teknik dialogu vazhdoj në nivel presidentësh dhe në fund fare u kthye në dialog për statusin. Idetë në tavolinë nxitën ata pro dhe irrituan ata kundër. Përkufizim, ndarje, shkëmbim, Lugina, Mitrovica, Zvecani…Problemi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe aka “Zjednica”. Edhe kësaj radhe në Berlin gjithçka u duk si një rrëmujë për publikun në Ballkan pasi ata u informuan kryesisht nga liderët e tyre.

Kosova dhe Serbia kanë një mundësi për zgjidhje dhe një për status quo.

Shumica flasin për marrëveshjen përfundimtare. Ajo që dihet është se një e tillë nevojitet. Natyrisht do të ishte e palogjikshme të nënshkruhen edhe dhjetë marrëveshje të tjera si rast i dytë pas asaj të prillit të para shumë vitesh. Për një marrëveshje të tillë nevojitet të përcaktohen palët në proces. Nëse liderët ballkanik e pyesin një student të shkencave politike sigurisht që procesin do ta sqaronte thjesht në formulë empirike. Pra Kosova (palë firmosëse në konflikt), Serbia (palë firmosëse në konflikt) dhe bashkësia ndërkombëtare (palë garantuese e marrëveshjes). Për një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë nevojitet që palët të figurojnë si juridik dhe jo fizik. Të përcaktohet edhe qëllimi që në këtë rast duhet të jetë ajo përfundimtare. Marrëveshja duhet të përfshijë qindra faqe dhe detaje për çdo “disiplinë” dhe element shoqërorë që i përbën ata që preken nga kjo marrëveshje, themelimin e një fondi ndërkombëtarë për zbatimin e marrëveshjes, një fondi investues, një trupi mbikëqyrës ndërkombëtarë me mandat të limituar disa vjeçarë dhe po ashtu sjelljen në verifikim të marrëveshjen nga qytetarët. Transparencë në media.

Për të fituar në referendum një gjë e tillë nevojitet që qytetarëve tu sqarohet përse nevojitet kjo marrëveshje, cila ka qenë e shkuara, çfarë është e tashmja reale dhe çfarë këto shtete duan të bëhen në të ardhmen. E shkuara nuk është kryer dhe si e tillë ajo vazhdon të jetë subjektive, e tashmja është e ndikuar dhe e ardhmja po ashtu. Në një moment të tillë me shumë kundërshtarë natyrisht se marrëveshja është e vështirë.

Ajo që dy shtetet nikoqire kanë si kredibilitet për ta zgjidhur këtë konflikt është e shkuara e tyre. Franca dhe Gjermania kanë patur histori edhe më të përgjakshme, territore e konflikte. Këtë Berlini dhe Parisi e kanë bagazh. Ata kanë patur mijëra viktima, vrasje e masakra, por kur kanë vendosur për pajtim nuk ua kanë fshehur njeri-tjetrit historinë. Pak ky konflikt dhe lufta globale sollën deri tek themelimi i Bashkimit Evropian. E mira do të ishte që BE të jetë mundësi dhe garanci, por një pjesë e shteteve këtu kanë harruar arsyen e fillimit. Hapësira për variante të tjera është krijuar me krizat e ndryshme brenda unionit. Gjithsesi për BE-në do të duhej të ishte Ballkani I rëndësishëm për shumë arsye gjeostrategjike. Problemi është që vendet e ngelura nuk mund të futen në BE pa firmosjen e shumë marrëveshjeve në mes tyre edhe pse si numër popullsia e Ballkanit nuk paraqet shumë përqindje. Një garantues tjetër mund të jetë edhe firmosja e një deklarate të përbashkët të të gjitha vendeve në fund të procesit pasi pa shumë vula në Ballkan nuk ndodh asgjë.

Personalisht nga të gjitha idetë e paraqitura për zgjidhje jam mbështetës vetëm i idesë se dicka duhet firmosur për ti dhënë kohëzgjatje paqes. Kjo gjithsesi është fushatë e gjatë dhe në të nuk kanë vend as fushatat kundër, as taksat, as kokat e derrit.

Ballkanit i kanë ngelur të hapura politikisht Kosova dhe deri diku Bosnja. Zgjatja e problemeve nënkupton izolimin, por edhe rrezikun nga tensionet serioze sporadike që mund të sjellin deri tek format amorfe të dhunës politike. Njerëzit në Ballkan kanë nevojë për të dal “në ajër të pastër” nga ditët me konflikte dhe urrejtje. BE-ja duhet ta di dhe Franca e Gjermania se për Ballkanin duhet të jenë më konkret dhe më të shpeshtë. Ata në kryeqendra këtu i kanë harruar paksa periferitë. Burrshtetasit zgjidhin punë dhe institucionet nuk janë “gjaknxehtë”, por marrëveshja kërkon shumë mekanizma, angazhim të vërtetë dhe të gjerë si dikur Franca dhe Gjermania dhe ide të qartë “çfarë duam të bëhemi kur të rritemi”, duke e kuptuar se një ditë mbase edhe kjo do të jetë si historia e murit të Berlinit.