Mos ulja e çmimit të lartë të naftës në Kosovë ka bërë që sot të mbajë mbledhje Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ku është bërë e ditur që do të fillojnë hetimet për tregun e derivateve të naftës.
Ndërkaq një gjë të tillë e kundërshton kryetari i Shoqatës së Naftarëve Fadil Berjani, ku në një prononcim për Ballkani.info ka thënë se nuk ka monopol në bizneset e naftës në Kosovë.
Sipas tij, Shoqata e Naftarëve ka kërkuar vitin e kaluar nga Qeveria që tenderi i derivateve të qeverisë të ndahet në 6 “lote” dhe kjo kërkesë e tyre është realizuar në qeverinë e kaluar, ku shpërndarja në 6 operator të tenderit është eliminu monopoli.
“Sa i përket monopolit në shoqata kemi kërkuar që tenderi i derivateve të qeverisë të ndahet në 6 lote dhe kjo kërkesë e jona është realizuar në qeverinë e kaluar. Unë mendoj që në shpërndarjen në 6 operator të tenderit është eliminu monopoli ku operatori nuk ka pas të drejtë të marrë ma shumë se një lot. Sa i përket çmimit nuk ka monopol, nuk ka marrëveshje”, ka thënë Berjani në një prononcim për Ballkani.info.
Ai ka theksuar se Kosova aktualisht është duke u shërbyer më çmimet më të lira në regjion.
“Qytetarët e Kosovës janë duke u shërby me çmimet ma të lira në regjion, përveç Maqedonisë”, ka theksuar Berjani.
Ballkani.info ju sjellë çmimet e derivateve në rajon:
Serbi: Nafta 1.40 euro, benzina 1.29 euro
Mali i Zi: Nafta 1.27, benzina 1.28
Bosnje: Nafta 1.26, benzina 1.27
Kroaci: Nafta 1.35, benzina 1.30
Shqipëri: Nafta 1.46, benzina 1.47
Kosova: Nafta 1.14, benzina 1.15
Maqedoni: Nafta 1.00 euro, benzina 1.04 euro







