Berjani: Nëse Albin Kurti do që t’i ndihmojë qytetarët, le ta heq akcizën për naftën

Çmimi i derivateve në Kosovës ka shënuar rritje të mëdha këto ditë. Naftëtarët dhe Qeveria janë në “luftë” me vendime dhe kërcënime. Por, një rrugë është që derivatet të lirohen, nëse Albin Kurti e heq akcizën.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një deklarim për Demokracia.com ka treguar se si mund të furnizohen qytetarët me derivate më të lira.

Ai ka thënë se këtë e ka në dorë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nëse Albin Kurti dëshiron që t’i ndihmoj qytetarët e Kosovës, dhe që ata të blejnë derivate më të lira, atëherë le ta heq akcizën për naftë dhe benzinë. Këtë vendim mund ta marr qeveria. Neve nuk është që na konvenon, por këtë Kurti mund ta bëjë për qytetarët”, ka treguar Berjani.

Kryetari i Naftëtarëve ka thënë se kërcënimi për mbyllja të pikave shitëse është bërë për të treguar se vendimi për ulje të çmimit deri në 12 cent i falimenton kompanitë.

Por, Berjani beson që këtë vendim nuk do ta marr qeveria dhe se nuk do të ketë nevojë për protesta.

“ Nuk do të vijë puna deri të protesta, sepse besoj dhe shpresoj që kryeministri do t’i marr parasysh kërkesat tona. Vendimi është i dëmshëm dhe do t’i falimentoj shumë pika të karburantit. Shoqata kërkon që vetëm tregu të jetë i lirë”, ka thënë Berjani.

Gjatë ditës së djeshme Demokracia.com ka raportuar se Qeveria pritet ta bëjë së shpejti një ndërhyrje me anë të një vendim.

Sipas një vendimi që pritet të merret, 2 deri në 3 centë do të përcaktohet fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë për shitësit me pakicë.

“Pritet që 2-3 centë do të jetë fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë do të jetë fitimi për litër për shitësit me pakicë. Ndërsa, 10 centë për litër do të jetë fitimi për shitje me pakicë për subjektet që nuk janë importuese”.

Vendimi parashihet të jetë për një periudhë 90-ditore dhe më këtë vendim është propozuar që çmimi i naftës të zbritet 10 deri 12 centë.

Edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës, me të cilin do t’i “mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit. Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Kurse, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i ka dërguar letër Qeverisë së Kosovës të enjten, me anë të së cilës kërkojnë miratimin e dy kërkesave.

Letra i është dërguar kryeministrit Albin Kurti, zv/kryeministrit Besnik Bislimi dhe ministrave Rozeta Hajdari e Hekuran Murati, si reagim ndaj propozim-vendimit të Qeverisë për rregullimin e çmimeve të derivateve në vend, sipas së cilit parashihen kufizime në fitimet e naftëtarëve.

Të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë njëjtë si 22 vitet paraprake dhe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, është kërkesa e parë e naftëtarëve.

Por, nëse kjo nuk merret parasysh, ata kërkojnë që marzha të caktohet si më poshtë, kjo duke u bazuar në nivelet e çmimeve aktuale:

Shitja me shumicë 3 për qind;

Shitja me pakicë 12 për qind;

Tute, thuhet se nëse këto kërkesa nuk merren parasysh nga ana e Qeverisë, atëherë janë të detyruar të ndërmarrin masa, përfshirë edhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë vendin.

“Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, jemi të detyruar që të ndërmarrin masa të tjera për të mbrojtur ekzistencën e kompanive tona nga falimentimi përfshirë të mëposhtmet: apelim i vendimit të datës 1 mars 2022, për kompensimin e humbjeve të shkaktuara nga ky vendim, apelim i vendimit të ri, nëse merret duke shpërfillur kërkesat tona të mësipërme dhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në letrën e naftëtarëve.

Deri më tani, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë vendim për ta hequr akcizën apo TVSH-në për derivatet, që do të ndikonte në uljen e çmimit.

Institucioni i vetëm që heton marrëveshjet në mes operatorëve, Autoriteti i Konkurrencës është jo funksional në mungesë të bordit. Pozita ende nuk ka vendosur që këtë autoritet ta bëjë funksional.