Kategoritë e dala nga lufta duhet të jenë të kujdesshme dhe ta shmangin rrugën nëpër Serbi. Kështu ka deklaruar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha. Kjo deklaratë e tij vjen pas arrestimit, që javën e kaluar e bëri Beogradi zyrtar, ndaj Hasan Dakajt, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai u arrestua nga policia serbe në pikën kufitare në Merdar.
“Vendimi apo marrëveshja për liberalizimin e vizave nënkupton lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nëpër shtete të BE-së, por nuk nënkupton amnistinë e luftëtarëve të UÇK-së, kjo është një kontest i hapur. Ne si Kosovë nuk arrestojmë askënd ndaj të cilit nuk kemi ngritur padi dhe s’kemi ndonjë dosje apo ngritje aktakuze ndaj tyre”, ka thënë ai për Indeksonline.
Sipas Berishës, duhet që të gjithë luftëtarët e UÇK-së të jenë koshientë pasi Serbia i ka të gjithë regjistrat tanë. “Unë këtë shqetësim e kam ngritur në Kuvendin e Kosovës që kur ishte bërë publikimi i tyre, “mashtrues apo jo mashtrues”.
Jeta dhe liria e tyre është e rrezikuar nëse qarkullon nëpër Serbi.
Të gjithë ata që janë në evidencat e UÇK-së në kuptimin e veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve, duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin Serbinë”, u shpreh ai.
Berisha apeloi që Qeveria e Kosovës, institucionet, duhet të veprojnë me urgjencë dhe këtë çështje ta ngrenë në nivelet më të larta të forumeve të BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare.
“Të kërkohet ndërmjetësimi e menjëhershëm për lirimin e tij. Transiti nëpër Serbi është rrezik për këtë kategori. Ushtari të lirohet menjëherë”, ka deklaruar ai.







