Berisha thirrje gazetarëve: Mos të bien në kurthin e Kurtit për shaminë

Gazetari i njohur, Ridvan Berisha ka reaguar për lejimin e mbajtës së shamisë në shkollat e Kosovës dhe deklaratën e kryeministrit Kurti se duhet të lejohet nga mosha 16 vjeçare.

Berisha përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka kërkuar nga gazetarët dhe drejtuesit e mediave që mos të bien në kurthet e kryeministrit Albin Kurt.

Ai më tej ka shtuar se “Kosova ka me bollëk brengash të tjera”.

“Kolegë gazetarë, drejtues mediesh, ju lutem mos shkelni në kurthet e kryeministrit Kurti duke e mediatizuar çështjen e shamisë! Kosova ka me bollëk brengash të tjera, i dijmë dhe i përjetojmë të gjithë ne. Më së paku çështja e bartjes së shamisë për fëmijët nëpër shkolla ka ta bëjë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Grupe mirë të organizuara dhe edhe politikanë të ndryshëm gradualisht po e ndërtojnë shtratin e viktimizimit. Bilanci i tyre është ekspozimi i zhvillimit të  doktrinës së islamit politik, bartjen e shamisë po e përdorin vetëm si siguresë, kamuflazh ashiqare. Leksion i keq për shtetin laik!” ka shkruar Berisha.