Berisha: Shteti nuk po bën sa duhet për sigurinë e punëtorëve shëndetësorë

Ali Berisha: Shteti nuk po bën sa duhet për sigurinë e punëtorëve shëndetësorë.
Deputeti i AAK-së, Ali Berisha, ka dalë me një reagim pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus. Ai ka shprehur shqetësimin e tij që shteti nuk u ka ofruar mbështetjen e duhur punëtorëve shëndetësorë.

Ai i ka dhënë përkrahje punëtorëve shëndetësore, duke thënë se sikurse në të kaluarën që puëntorët shëndetësorë e kanë kryer punën e tyre, edhe tani detyrë mbi detyra për ta është mbrojtja e popullatës nga ky virus.“Punëtorët shëndetësorë në Kosovë edhe në të kaluarën edhe pse të ekspozuar nga rreziqet,  kanë kryer detyrat e tyre humanitare dhe kombëtare.

Aktualisht, detyrë mbi detyra është mbrojtja e popullatës prej Coronavirusit.

Këta punëtorë janë në krye të detyrës edhe pse janë të vetëdijëshëm për mundësinë e rrezikut potencial”, ka shkruar Berisha.
Ai ka thënë se shteti duhet t’i mbrojë ata, duke u ofruar pajisjet e nevojshme.

“Bazuar në komunikime të vazhdueshme dhe informata, nuk është bërë mjaftueshëm për furnizimin me materiale mbrojtëse për mbrojtjen e tyre gjatë kryerjes së detyrave.

Shteti duhet t’i mbrojë këta luftëtarë të kësaj sfide, që tu mundësohet që suksesshëm ta mbrojnë popullatën. Me besim dhe përkushtim, të angazhohemi të gjithë që edhe këtë situat ta përballojmë ashtu siç e kemi traditë si komb”, ka thënë ai.