Sali Berisha

Berisha reagon për dhunën ndaj tre shqiptarëve në Malin e Zi: Një akt kriminal racist i rëndë

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar ndaj rastit të rëndë, ku tre shqiptarë u bënë pre e dhunës barbare të shtatë agresorëve në Mal të Zi.

Berisha e cilëson si një akt kriminal dhe të rëndë, ku shprehet ky rast nuk është i izoluar dhe vjen pas dhunës shtetërore që policët kufitarë, ushtruan ndaj profesorit Petraq Milo.

Gjithashtu, ish-kryeministri thekson se akte të tilla, janë në kundërshtim me projektet miqësore mes dy vendeve.
Dhe së fundmi, pas lajmit se pesë nga autorët janë vënë në pranga, Berisha kërkon nga autoritetet fqinje të vendosin para ligjit organizatorët.

Reagimi i Berishës:

“Një akt kriminal racist i rëndë!

Dhunimi i tre të rinjve shqiptar duket për motive etnike në Malin e Zi nga grupe kriminale dhe me uniformë paramilitare ultranacionaliste, përbën një akt të verbër racizmi primitiv të rëndë dhe të dënueshëm.

Kjo dhunë nuk është një rast i izoluar mbasi vjen pas dhunës shtetërore që policë në pikëkalimi kufitar ushtruan ndaj profesorit të nderuar Petraq Milo.

Këto akte të nxitura nga ultranacionalistët e Beogradit vjinë në kundërshtim të hapur me projektet serioze për marrëdhënie miqësore dhe vlerën e këtyre marrëdhënieve midis vendeve fqinje.

Duke i uruar shërim të shpjete viktimave dhe dënuar me ashpërsinë më të madhe autorët e kësaj dhune shtazore, kërkoj nga autoritetet e vendit fqinj, të cilët kanë arrestuar pesë prej banditëve, t’i vendosin para ligjit, sponsorët, organizatorët dhe autorët e këtij akti të shëmtuar”, shkruan Berisha.