Berisha: Qytetarët e Kosovës besojnë se s’duhet rrezikuar duke u bashkuar me Shqipërinë

Hulumtuesi, Visar Berisha, në Rubikon të KTV-së ka thënë se përceptimi i qytetarëve të Kosovës është se shumë më afër është anëtarësimi në BE, dhe nuk duhet të rrezikohet me bashkimin me Shqipërinë.

“Besoj se tendenca për ta dëshiruar bashkimin kombëtar, çështja e përceptimit të konsolidimit të shtetit të Kosovës nuk është vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë. Tash në Kosovë ndjehemi më të pavarur pra se nuk kemi nevojë për diçka si bashkimi kombëtar për të ecur përpara. Përceptimi i qytetarëve në Kosovë është që liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në BE është shumë më afër dhe ne nuk duam ta rrezikojmë duke u bashkuar me Shqipërinë”, ka thënë Berisha.

Ai thotë se studimi ka nxjerrë në pah edhe paragjykimet që kemi si shoqëri.

“Përveç ngjashmërive, studimi ka nxjerrë në pah edhe paragjykimet që kemi ne si shoqëri, vërehet një dallim shumë i madh i vizitave, qytetarët e Shqipërisë e vizitojnë shumë më pak Kosovën dhe kjo krijon hapësirë për krijimin e paragjykimeve. Ky studim do të shërbejë që grupet punuese të cilat do të punojnë në tema specifike do t’u japin rekomandime qeverive se si të rritet ndërveprimi pozitiv ndërmjet dy qeverive”, ka thënë ai.