Berisha: PD-ja është pro çdo vendimi për integrim në BE

Sali Berisha ka garantuar vendet e unionit se partia e drejtuar prej tij, do të mbështesë çdo reformë që çon në avancimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Siguroj BE-në, Komisionin dhe vendet anëtare se Partia Demokratike sot në opozitë do të mbështesë dhe nesër në pushtet do të ndërmarrë dhe miratojë çdo akt, vendim, ligj dhe reformë të nevojshme për avancimin e procesit të integrimit të vendit në BE .”

Kryeministrin Rama e paralajmëroi që të mos provokojë partnerët, por të tërhiqet nga amnistia fiskale.

“Të deklarojë menjëherë se ai heq dorë përfundimisht nga ligji i aministisë fiskale, kundër të cilit është shprehur haptas Komisioni Europian dhe vende anëtare të BE, qoftë dhe me karriget bosh në takimin e tij të fundit; parnerët tanë jashtë BE-së; Dhomat e Biznesit të SHBA, Gjermanisë, Francës, Turqisë dhe dhomat e biznesit shqiptar.”

Vendet anëtare të unionit i ftoi të insistojnë kundër miratimit të amnistisë, teksa premtoi vënien përpara drejtësisë të përfituese të nismës, që sipas tij synon legalizimin e parave të krimit e drogës.

“PD angazhohet para partnerëve tanë se me të ardhur në pushtet ajo do të bllokojë amnistinë fiskale e kriminale të Edi Ramës dhe do të vendosë para ligjit të gjithë personat që kanë përfituar nga kjo amnisti, duke u kërkuar origjinën e të ardhurave”.

Kryedemokrati shkoi edhe më tej duke garantuar partnerët se pas ardhjes në qeveri të Partisë Demokratike organeve fiskale të vendeve të huaja do t’u vihen në dispozicion emrat e përfituesve nga amnistia./TvKlan