Berisha: Pas arrestimit të Thaçit qëndron trinomi Kremlin-Beograd-Tiranë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se në procesin e arrestimit të Hashim Thaçit qëndron trinomi Kremlin-Beograd-Tiranë.

Në fjalën e tij në kuvend pas përplasjes me Kryeministrin Edi Rama, Berisha u shpreh se kur “kur djemtë e Kosovës flijonin jetën dhe derdhnin gjakun, kur Adem Jashari shndërroi Prekazin në Krujë të vërtetë, parafolësi i dekonfiruar (Rama) dhe i shndërruar në një pacient të pakururar shiste ikona të vjedhura dhe spiunonte emigrantë në Paris. Shiste ikona të vjedhura, e ka thënë Fatos Nano, është deklaratë e tij”.

“Përsa i përket arrestimit të Hashim Thaçit, dua t’ju them sot të vërtetën. Në procesin e arrestimit të Hashim Thaçit qëndron një trinom Kremlin-Beograd-Tiranë. Ky (Edi Rama) e mori dhe e futi Hashim Thaçin në spiralet e ndryshimit të kufijve në Ballkan”, tha Berisha.

“Ky e mori Hashim Thaçin të shtrëngonte duart me Putinin, bashkë me Ymerët dhe Klosët e tij. Janë burime shpifjesh të pafundme. Edi Rama, në një spirale futi udhëheqjen politike të Kosovës, e cila në mënyrë absolute ndikoi në procesin e arrestimit të tyre. Ky që do të bëhet tani patriot bashkë me Baton Haxhiun janë dy promotorët e arrestimit të udhëheqjes politike të Kosovës. Këta ndërmorën fushatën, për anulimin e asgjësimit të Gjykatës Ndërkombëtare, gjë e cila tregonte indirekt se po përpiqej për të fshehur fajësitë që nuk ekzistonin”, shtoi Berisha.