Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme

Berisha: Kurti ka zgjedhur që protagonisti të jetë ai e jo Kosova, seanca e Këshillit të Sigurimit, disfatë për vendin

Këtë të enjte nga ora 21:00 do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e thirrur nga Serbia, për sa i përket çështjes së vendimit të BQK-së për dinarin.

Kosova në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Në lidhje me këtë, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka zgjedhur mënyrën e qeverisjes që ai të jetë protagonisti e jo shteti i Kosovës.

“Dhe me dëshirën e tij që ai të jetë protagonisti krijon këso situata, si me targa e tash me këtë rregulloren, me të cilën del në qendër të vëmendjes dhe tenton ta bindë një masë naive e cila ka përshtypjen që këtu ka një betejë me Serbinë, edhe pse politika e mençur e Kosovës do të ishte që të mos merrej me Serbinë, sepse me Serbinë e kemi përfunduar në vitin 1999”.

“Ai mund të bëjë një shou, por unë po flas për aq sa di unë, vetë hyrja në agjendë është disfatë diplomatike e Kosovës. Sikur Kosova do të kishte vazhduar me një politikë konstruktive dhe jo të zhvillojë beteja me partnerë tanë, sigurisht që ata s’do të kishin lejuar që kjo të jetë pjesë e debatit në Kombet e Bashkuara”, tha Berisha në “Info Magazine” .

Më tej, Berisha tha se gjërat rregullohen përpara seancës së Këshillit të Sigurimit, ndërsa sipas tij, seanca është një shfaqje publike e një marrëveshjeje paraprake me të cilën zakonisht palët merren vesh, ose shtetet kryesore marrin qëndrim.