Ridvan Berisha, dikur shef i përmbajtjeve në RTK, i ka kërkuar Albin Kurtit të kryejë punë policore e të Prokurorisë.
Ish-Shefi i redaktorëve në televizionit publik i ka kërkuar Shefit të Qeverisë të zbardhë një sulm që kishte ndodhur kohë më parë ndaj shtëpisë së Mentor Shalës, drejtor i dikurshëm i RTK’së.
Berisha i ka kërkuar Kryeministrit që shpejt ta zbardhë edhe një tentim që kishte pasur për sulm në shtëpinë e tij.
“Nga kryeministri Albin Kurti kërkojë që sa më shpejt që është e mundur të angazhohet në zbardhjen e rastit të sulmit me bombë në shtëpinë e drejtorit gjeneral, perpjekjes per sulm në shtëpinë time dhe në RTK”, ka shkruar Berisha, në një reagim në Fb.
Aty, Berisha ka nisur një konfrontim me Lëvizjen Vetëvendosje disa ditë pasi kishte lëshuar akuza në drejtim të Ministrit të Financave, Besnik Bislimi.
“Prandaj, kjo fushatë e nisur nuk është gjë tjetër vetëm një përpjekje e pushtetit ekzistues që të vazhdojnë përmes portparollëve të tyre (portaleve të pushtetit) që fillimisht të shantazhojnë, linçojnë dhe pastaj të veprojnë. Metoda fashiste! Po të ishin profesionale vetëm 1% sigurisht që së paku do të kontaktonin palën tjetër që është parimi bazë i gazetarisë – prezantimi i palëve!”, ka shkruar më tej Berisha.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka lëshuar akuza se RTK është shndërruar në televizion të PTK’së përkatësisht të Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Madje, edhe një raport ndërkombëtar tha se një pjesë e përmbajtjeve të RTK’së ishin pro qeverisë së kaluar.
Ridvan Berisha ishte Kryeredaktor në RTK3 deri në prill të vitit të kaluar. Pastaj për gjashtë muaj ka mbajtur pozitën e u.d të Kryeredaktorit në RTK. Aktualisht nënshkruhet si Kryeredaktor megjithëse s’ka pasur përzgjedhje të re, pasi konkursi i shpallur për Kryeredaktor të ri s’ka përfunduar asnjëherë në mungesë të Bordit.
Radio Televizioni i Kosovës për çdo ditë i kushton Kosovës mbi 35 mijë euro. I harxhon deri 13 milionë euro në vit.







