Berisha: Ftesa ndaj Veselit politike – Specialja të dërgohet në Kushtetuese

Hysen Berisha, komandanti i njohur i luftës së Kosharës, njëherësh epror i lartë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ftesën e Gjykatës Speciale dërguar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, po e vlerëson politike dhe komprometuese.

Berisha që në zgjedhjet e 6 tetorit ishte kandidat për deputet në radhët e PDK-së, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se Gjykata Speciale e ftoi Kadri Veselin në një moment kritik për vendin, megjithatë siguron se ai por edhe të gjithë të tjerët të ftuar do t’i përgjigjen drejtësisë në çdo rrethanë.

Ish-komandanti i Koshares të gjitha supozimet e Gjykatës Speciale po i konsideron si dosje të përgatitura në Beograd, por edhe argatë të tyre në Kosovë.

Beson se drejtësia do të nxjerr në pah të vërtetën.“Është thirr personi që ka udhëhequr shërbimin inteligjent në luftë, deri në vitin 2008 kur është krijuar tereni politik për ta shpallur pavarësinë. Personi që me deklarimet e tij të deri sotme asnjëherë nuk e ka drejtuar gishtin ndaj dikujt me gjuhë armiqësore, ose që ka prodhuar konflikt. Pra është munduar ta ruajë unitetin në emër të një kauze më të madhe që është shteti i Kosovës. Dhe tendenca për t’i identifikuar me vepra të supozuara dhe dosje të përgatitura në Beograd, apo me argatë të tyre nëpër Kosovë nuk është e ndershme”.

“Unë kam besim që drejtësia do t’i nxjerr në shesh, ata që kanë përgjegjësi individuale do t’i mbajnë ato, ata që kanë kryer vepra të faktuara le të përballen me pasojat e tyre, por nuk është e ndershme të etiketohet një lëvizje siç ka qenë UÇK-ja dhe lufta”, thotë ai.