Berisha dhe Rama njoftojnë deputetët për procesin e transformimit të FSK-së

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën sot në ministri deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së (KPPMSMFSK), në krye me deputetin Haxhi Shala, kryetar i Komisionit.

Në takimin e përbashkët të deputetëve të Komisionit PPMSMFSK të Parlamentit të Kosovës dhe krerëve të Ministrisë dhe FSK-së ishin të pranishëm edhe drejtori dhe zëvendës drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për MFSK dhe FSK (NALT).

Në këtë takim informues u bënë prezantime më të hollësishme për pikat konkrete se ku do të ketë ndryshime thelbësore si dhe u prezantuan fazat e zhvillimit dhe ngritjes së kapaciteteve të FSK-së me mision të ri.