Berisha: Bashkëpunimi Kosovë-Izrael do të duhej të sjellte rezultate më të mëdha

Gazetari dhe ish-kryeredaktori i RTK-së, Ridvan Berisha ka thënë se zhvillimi i bashkëpunimit ndërshtetëror Kosovë-Izrael, do të duhej deri më tash të sillte rezultate më të mëdha, veçanërisht kur shohim nevojën e Kosovës që të shënojë progres premtues në shumë fusha, duke filluar nga ajo e sigurisë, zhvillimi ekonomik, inovacioni, arsimi, bujqësia dhe fusha tjera.

Ai ka shkruar se realiteti tregon se progresi është mjaft i pavërejtshëm. E kjo, sipas tij, nuk është mirë për shtetin tonë të ri.

“Zhvillimi i bashkëpunimit ndërshtetëror Kosovë-Izrael mendoj se, do të duhej deri më tash të sjellte rezultate më të mëdha, veçanërisht kur shohim nevojën e Kosovës që të shënoj progres premtues në shumë fusha, duke filluar nga ajo e sigurisë, zhvillimi ekonomik, inovacioni, arsimi, bujqësia etj, etj!

Realiteti na tregon se progresi është mjaft i pavërejtshëm. E kjo nuk është mirë për shtetin tonë të ri. E di që këtë pushtet, situata e tanishme nuk i mërzitë fare!

Tashmë ekziston edhe zyrtarisht “Oda Ekonomike Kosovë Izrael” e themeluar nga shtetas kosovar dhe amerikan. Udhëheqësit e saj janë politikanë dhe në shikimin e vlerësimin tim nuk e kam mjaft të qartë se pse kjo Odë duhet të drejtohet nga politikanët e jo nga biznesmenët e mirëfilltë ose nga anëtarë të dalluar të shoqërisë civile”, shkruan Berisha.