Beqë Cufaj: Për vizat, meritat i shkojnë Çekisë dhe Gjermanisë

Ish-ambasadori i Kosovës në Berlin, Beqë Cufaj, e vlerëson lajm të gëzueshëm njoftimin për 1 janarin e vitit 2024 si datë të mundshme për liberalizimin e vizave.

Cufaj thotë se çështja e vizave nuk bën asesi të keqpërdoret nga BE-ja për bisedimet politike mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa shton se meritat kryesore për vizat deri tani i shkojnë presidencës së Çekisë por edhe Qeverisë së Gjermanisë.

“Njoftimet për 1 Janarin e vitit 2024 si datë të mundshme për lëvizjen e lirë të Qytetarëve të Kosovës drejt BE-së, edhe pse shihen me skepticizëm, duhet të na gëzojnë. Ka qenë e pritshme që Spanja nuk do të pranonte të merrej me këtë temë pasi që ky shtet nuk e njeh Kosovën.

Njëkohësisht duhet thënë që nuk ka asnjë arsye që çështja e Vizave të (keq)përdoret nga BE-ja si karrem për bisedimet politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Kjo për fat të keq ka ngjarë deri më tashti! Të shpresojmë që deri në lëvizjen e lirë të jetë përmbyllur edhe marrëveshja mes Kosovës e Serbisë.

Mendoj që merita kryesore për këtë arritje i shkon presidencës së Çekisë por edhe, apo sidomos, Berlinit dhe Qeverisë së Gjermanisë e cila tash disa vite ka qenë në favor të liberalizimit dhe muajt e fundit ka shtyer jashtë mase këtë çështje” tha Cufaj.