Beogradi vazhdon më lojëra | Jep dorëheqje kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut për t’ia pamundësuar Zeqirit zyrtarizimit si kryetar

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Slavisha Bishevac nga Iniciativa Qytetare (GI) për Zubin Potok, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Sipas raportimeve, Bishevac ka dorëzuar dje dorëheqjen e tij me qëllim që “në mënyrë demokratike të pengohet që kryetari i sapozgjedhur Izmir Zeqiri të marrë pushtetin”.

Bishevac u bë kryetar i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut me sistemin automatik, pasi serbët nga veriu u larguan nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal, në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Dalja e serbëve nga institucionet solli edhe zgjedhjet lokale, pas të cilave katër komuna në veri morën kryetarë të rinj nga komunitetet tjera, ndërsa në Zubin Potok fitoi Izmir Zeqiri nga PDK-ja.

Në zgjedhje nuk mori pjesë Iniciativa Qytetare lokale, duke u bërë pjesë e bojkotit të dirigjuar nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar.

Bishevac është ftuar të organizojë seancën konstituive të Kuvendit Komunal ku do të zyrtarizohet zgjedhja e kryetarit të ri. Ndonëse, siç thonë nga kjo Iniciativë, seanca do të mbahet me ose pa pjesëmarrjen e tyre, megjithatë kryesuesi ka vendosur të largohet nga posti.

“Kemi dashur ta ndalojmë kryetarin e ri të marrë detyrën, duke dhënë dorëheqje nga posti i kryesuesit, i cili duhet ta thërrasë atë seancë. Në këtë mënyrë duam të pengojmë që kryetari i ri të marrë detyrën në Zubin Potok, ku shumica absolute e popullsisë janë serbë”, kanë thënë ata.

Në anën tjetër, tre këshilltarët serbë nga GI Zubin Potok nuk kanë dhënë dorëheqje, por kanë paralajmëruar se do ta bëjnë nëse zyrtarisht zgjidhet kryetari i ri.

Ata iu referuan deklaratave të tij të ditëve të fundit, të cilat i bëjnë të dyshojnë se ai mund të punojë në interes të shumicës, në këtë rast komunitetit serb.

“Sipas deklaratave të tij, shohim se ai nuk dëshiron kompromis me serbët, por se vazhdon të zbatojë vendimet e njëanshme të Prishtinës. Kështu thotë deklarata e tij se do t’i heq flamujt nga komuna dhe gjithçka tjetër”, kanë thënë këshilltarët e GI Zubin Potok. /Ballkani.info/