Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, këmbëngul se është i përqendruar në punën e tij në fushë dhe se nuk i intereson nëse klubi vendos apo jo të blejë një sulmues të ri, duke theksuar se i takon vetë klubit të bëjë siç ndihet në këtë drejtim.

Benzema shënoi het-trik në fitoren e Real Madridit 3-0 kundër Athletic Bilbaos në Santiago Bernabeu të dielën pasdite, duke e çuar në 30 numrin e përgjithshëm të golave për Realin në të gjitha garat këtë sezon, por thashethemet për transferimin e një sulmuesi të ri në Madrid nuk kanë të ndalur.

Një emër që është përfolur vazhdimisht me kalimin në Madrid është sulmuesi serb i Eintracht Frankfurt, Luka Jovic, por Benzema nuk brengoset edhe nëse i shtohet konkurrenca në sulm.

“I takon klubit, nuk më intereson”, tha Benzema kur u pyet nëse Real Madridi duhet ta transferojë një tjetër qendër sulmues.

“Unë jam i përqendruar në punën time në fushë dhe për të parë sesi mund ta ndihmoj klubin”, shtoi francezi.