Ben Hodges: Rusisë i mungon një ‘plan koherent’

Gjenerali i pensionuar amerikan, Ben Hodges, kishte komanduar forcat e ushtrisë amerikane në Evropë nga viti 2014 dhe 2017. Ai, aktualisht, është drejtues i Pershing-ut në studimet strategjike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane. Në një intervistë me Shërbimin Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë, Hodges flet për mungesën e koherencës së operacionit ushtarak rus dhe se si automjetet e reja luftarake dhe tanket nga jashtë mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës.

Qytetet Bahmut dhe Soledar janë nën sulme të pamëshirshme nga forcat ruse, ose më konkretisht, forcat mercenare Vagner. Pse është kaq i rëndësishëm Bahmuti në Ukrainën lindore? Çfarë po përpiqet të arrijë atje Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit mercenar Vagner?

Ben Hodges: M’u desh pak kohë për të kuptuar pse Rusia po i kushton kaq shumë rëndësi Bahmutit, veçanërisht forcave të drejtuara nga Prigozhini. Dhe, unë mendoj se ka një aspekt simbolik të kësaj — ky është pothuajse si një projekt i kotë për të.

Është e qartë se atij nuk i intereson sa njerëz janë vrarë. Ata janë aty tash e pesë muaj dhe ende nuk kanë mundur ta marrin Bahmutin. Ata, thjesht, vazhdojnë të hedhin ushtarë të patrajnuar, të posamobilizuar në atë luftë.

Por, së fundmi është zbuluar gjithashtu se në rajon ka miniera të konsiderueshme kripe dhe gjipsi. Dhe, Prigozhini madje foli për sigurimin e burimeve atje. Por, nuk e di nëse kjo do të jetë shumë ngushëlluese për familjet e mijëra njerëzve që janë vrarë atje, të dinë se objektivi i vërtetë i Prigozhinit nuk ishte një udhëkryq apo kryqëzim i rëndësishëm strategjik, por minierat e gjipsit.

Mendoj se i gjithë ky operacion rreth Bahmutit ilustron mungesën e koherencës së operacionit të Rusisë. Unë nuk mendoj se Prigozhini merr urdhra nga [gjenerali Sergei] Surovikin, dhe ai sigurisht nuk merr urdhra nga gjenerali [Valery] Gerasimov (i cili u emërua më 11 janar për të mbikëqyrur pushtimin). Pra, kush është në krye?….

Ata nuk kanë një plan koherent. Ata vërtet, për fat të mirë, ende nuk i kanë mësuar dhe rregulluar të gjitha të metat institucionale që shfaqën në shkurt, mars.

A ekziston mundësia se ata janë duke vënë bast mbi një strategji të njohur që nëse hidhni numrat në betejë, atëherë, herët a vonë, rezultatet do të dalin?

Ben Hodges: Rusët gjithmonë kanë supozuar se shumica do të fitojë. Dua të them, kjo ka qenë mënyra e tyre e luftës për shekuj, që ata përfundimisht thjesht do të mposhtin forcat ukrainase. Por, padyshim, ata nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë, sepse ukrainasit kanë qenë kaq profesionistë, kaq të aftë, dhe ne shohim se në fakt saktësia mund ta mposhtë shumicën, nëse keni saktësi të mjaftueshme dhe nëse e aplikoni atë në vendet e duhura. Dhe, Ukraina ka ndjekur vazhdimisht logjistikën — rrjetet e transportit, ruajtjen e municioneve — nëpërmjet një sërë mjetesh të ndryshme.

Javën e kaluar, vendet perëndimore njoftuan se do t’i dërgojnë Ukrainës armë më të sofistikuara, duke përfshirë automjete të blinduara Bradley nga Shtetet e Bashkuara, automjete luftarake Marder nga Gjermania dhe automjete më të lehta luftarake të këmbësorisë nga Franca. Sa disavantazhe ka pasur Ukraina pa to dhe çfarë mund të arrijë tani Kievi me to?

Ben Hodges: Epo, sigurisht, uroj që këto vendime për të siguruar Bradley, Marder dhe AMX-10RC dhe sisteme të tjera, do të ishin marrë më shpejt. Por, lajmi i mirë është se ato janë bërë.

Ajo që dëgjova javën e kaluar ishte themeli për një brigadë të blinduar. Në thelb, ju keni artileri vetëlëvizëse nga Republika Çeke, një batalion; AMX-10RC nga Franca, i cili është një mjet i shkëlqyer me rrota, shumë lëvizshmëri, me një armë të madhe në të; dhe pastaj një batalion i Marderit, që është një sistem shumë i mirë; dhe më pas një batalion Bradley, i cili është mjeti më i mirë luftarak i këmbësorisë në botë.