Lajmi i fundit

Bekim Kupina: Osmani nuk është e ftuar në samitin e sotëm në Tiranë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do të marrë pjesë në samitin e sotëm në Tiranë, ashtu siç u aludua nga mediat në Shqipëri.

Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina, i cili tha se Osmani ka qenë e ftuar vetëm për Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore.

“Presidentja Osmani ka qenë e ftuar vetëm për Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore të datës 28 shkurt. Nuk ka qenë e paraparë pjesëmarrja e saj në takimin e kryeministrave më 29 shkurt për planin e rritjes. Aty janë të ftuara qeveritë”, ka thënë Kupina.

Përndryshe, sot në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në këtë samit Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, i cili do të marrë pjesë virtualisht.

Kështu ka bërë të ditur për Klankosova.tv zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, ka thënë Kryeziu.

Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë  mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.