Bekim Jashari: Nuk kam qenë dhe nuk jam nën hetime

Bekim Jashari ka reaguar pas raportimeve se ai ishte nën hetime në rastin e keqpërdorimit të 8 milionë eurove në kohën kur ishte drejtor i Aeroportit të Prishtinës.

Me këtë rast, aktakuzë tash është ngritur ndaj nipit të tij, Bahri Nuredini.

Jashari ka mohuar se ai kishte qenë nën hetime.

Ja reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Siç e keni parë dhe ju, media të caktuara, me gjithë konsideratën dhe respektin por nuk mund t’i quaj ndryshe pos media të porositura, ose më mirë të them media me gazetarë të porositur dhe me tendenca të rrezikshme, edhe sot si shumë raste tjera u vënë në shërbim të agjendave politike, në shërbim të individëve dhe interesave të ngushta brenda partive politike, duke pasur për qëllim degradimin e personalitetit tim.

Disa prej mediave si: Insajderi, Periskopi, Reporteri, Gazeta Express, T7, etj, duke qenë të vetëdijshëm se çka përfaqësojnë dhe si veprojnë, pa asnjë informatë zyrtare, pa asnjë argument vendosen që të njollosin emrin tim kinse Bekim Jashari ka qenë nën hetime për kohën sa kishte qenë kryetar i bordit të Aeroportit.

E them me bindje dhe me përgjegjësi të plotë që asnjëherë nuk kam qenë dhe nuk jam nën hetime, i dyshuar apo i akuzuar për ndonje vepër penale.

Tërë angazhimin tim në shërbim të vendit dhe qytetarëve të Kosovës, e kam bërë me përgjegjësi të plotë, duke dhënë shembull dhe duke arritur suksese konkrete në menaxhim efikas dhe udhëheqje me duar të pastra.

Njëkohësisht shprehë bindjen time të plotë që personat e apostrofuar janë të pafajshëm dhe duke besuar në drejtësinë tonë ky rast do të zbardhet dhe do të vërtetohen veprimet e drejta të tyre në shërbim të ruajtjes së parasë publike dhe funksionimit normal të institucionit në fjalë.

Liria e shprehjes nuk duhet të keqpërdoret, në emër të saj nuk duhet të gënjejmë, shpifim dhe cenojmë tjetrin asnjëherë.

Këtë duhet ta kenë të qartë gezatarët misionar të politikës, të pasuruar po mbi këto veprime të cilat tash veçse i kanë përvetësuar mirë.

Turp!