Marinë

Bekim Jashari: Dhëntë Zoti të mbledhim mend si popull

Në Komunën e Skenderajt sot është organizuar ceremonia e ndarjes së medaljeve për 158 heronjtë dhe dëshmorët, që më 6 tetor të këtij viti ishin shpallur heronj të Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi në përurimin e kompleksit memorial në Marinë.

Edhe pse i kishte dekoruar, kreu i vendit sot nuk kishte ardhur për të ndarë këto medalje.

Megjithatë, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka falënderuar presidentin që ka dekoruar këta dëshmorë.

Ai është shprehur se sot ndjen dhimbje të barabartë me të gjithë familjarët e dëshmorëve, por në të njëjtën kohë ai ka thënë se janë krenarë që janë familjarë të dëshmorëve.

“Ne e kemi bërë një punë pas 20 vitesh bashkërisht me juve, një punë që e kemi pasur për obligim ta bëjmë si institucione… Dhëntë Zoti që ne të mbledhim mend si qytetarë, si popull, të jemi të bashkuar, të unifikuar dhe ta ndërtojmë këtë vend, ta zhvillojmë vendin ekonomikisht. Vetëm atëherë mund të themi që po jetësohet amaneti i dëshmorëve, duke zhvilluar vendin që qytetarët e sidomos rinia e këtij vendi të sheh vetën në vendin e vet”, u shpreh ai.

Në emër të presidentit ka folur këshilltari i tij Ismail Syla, i cili ka thënë se po përfundohet një punë që kishte nisur me 6 tetor në Marinë.

“Kjo ceremoni, në fakt është vazhdim i 6 tetorit në Marinë, me ç’rast bëhet dorëzimi i urdhrit Hero i Kosovës për të gjithë dëshmorët, të cilët kanë rënë në betejat e luftës së UÇK-së. Një gjë duhet ta keni parasysh, ju keni dhënë njerëzit më të shtrenjtë dhe ata njerëz qëndrojnë në rrënjët e lirisë dhe te Kosova e sotshme. Ndërkaq, shteti dhe institucionet e bëjnë ose nuk e bëjnë më së miri detyrën e Kosovës, por ju të nderuar familjar duhet vetë ta dini se ju jeni njerëzit më ballëhapur që rrini përballë atdheut”, tha ai.

Ndërsa nënkryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Migjen Shala, ka thënë se ushtarët e trevës së Drenicës janë përballur me beteja e luftëra të ndryshme për të mbrojtur atdheun.

“Ne nuk imitojmë të tjerët për të përkujtuar beteja të humbura, por me krenarinë më të madhe përkujtojmë fitoret tona. Nuk do të mjaftojë vetëm përkujtimi, nuk do të mjaftojë vetëm komplekset e memorialet, por duhet t’iu shpjegojmë gjeneratave të ardhshme për rolin dhe rëndësinë e luftës çlirimtare. Të nderuar familjarë, bijtë tuaj kishin kuptuar thellë se për t’u çliruar nga pushtuesi duhej sakrificë, vetëmohim dhe organizim ushtarak. Ata me vetëdijen e lartë dhe ndërgjegje të pastër rrokën armët dhe u bënë pjesë e meritave të larta të luftës së lavdishme të UÇK-së”, tha ai.

Më 6 tetor të këtij viti, gjatë përurimit të kompleksit memorial në Marinë të Skenderajt, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte bërë të ditur se 158 dëshmorët i ka dekoruar me urdhrin Hero i Kosovës.