Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me numrin 109, Bekim Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore të Zenel Ujkanit në fshatin Syriganë të Skenderajt.

Përmes një postimi publik, Haxhiu ka bërë të ditur se ceremonia u zhvillua në praninë e përfaqësuesve institucionalë, familjarëve, miqve dhe qytetarëve të shumtë, ndërsa është përkujtuar kontributi i Zenel Ujkanit si bashkëluftëtar i Azem Galicës dhe një nga figurat e njohura të rezistencës kombëtare.

“Sot, në Syriganë, me nderim dhe respekt të veçantë, zbuluam pllakën përkujtimore të Zenel Ujkani, bashkëluftëtarit besnik të Azem Galica dhe njërit prej burrave që ia kushtuan jetën lirisë së atdheut”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas tij, në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nënkryetari Fadil Nura, deputetë dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

Haxhiu ka vlerësuar figurën e Zenel Ujkanit si pjesë të brezit të atdhetarëve që sakrifikuan për lirinë e vendit, duke theksuar se kujtimi për veprën e tij duhet të shërbejë si frymëzim për brezat e rinj.

Ai ka theksuar se pllaka përkujtimore përfaqëson jo vetëm një akt kujtese, por edhe një mesazh për ruajtjen e vlerave kombëtare dhe respektimin e sakrificës së atyre që kontribuuan për lirinë dhe identitetin e popullit shqiptar.

Në fund, kandidati i PDK-së ka shprehur nderim për jetën dhe veprën e Zenel Ujkanit, si dhe për të gjithë atdhetarët që, sipas tij, i dolën zot vendit në periudhat më të vështira të historisë.