Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të kësaj partie.

Sipas Haxhiut, kërkesa e tij nuk bazohet në supozime apo pakënaqësi me rezultatin zgjedhor, por në gjetjet e dala nga procesi i deritanishëm i rinumërimit të zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Ai theksoi se rinumërimi i 185 vendvotimeve, që përbëjnë rreth 3.52 për qind të votave të PDK-së, ka evidentuar gabime në numërimin fillestar. Sipas tij, në këtë proces atij i janë shtuar gjashtë vota që nuk ishin regjistruar më parë.

Haxhiu argumenton se, duke pasur parasysh se diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo pasaktësi në numërim mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.

“Vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve dhe që çdo votë të numërohet saktë”, ka deklaruar ai.

Përmes ankesës së dorëzuar në PZAP, Haxhiu ka kërkuar rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në procesin e deritanishëm të rinumërimit.

Ai ka theksuar se besimi në procesin zgjedhor ndërtohet mbi transparencën, ligjshmërinë dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve, duke shprehur pritjen që PZAP ta shqyrtojë ankesën në mënyrë të paanshme.

“Me e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të rezultatit zgjedhor është saktësia e tij, që çdo votë e votuesit të jetë e numëruar ashtu siç është vullneti i tij”, ka thënë Haxhiu.

Ai gjithashtu ka rikujtuar se edhe në procesin e kaluar zgjedhor kishte identifikuar dhe paraqitur, sipas tij, fakte për manipulime zgjedhore më 28 dhjetor 2025, duke vlerësuar se edhe procesi aktual përmban deformime që kërkojnë trajtim institucional.

PZAP ende nuk ka dalë me një vendim lidhur me ankesën e paraqitur nga kandidati i PDK-së.