Bekim Haxhiu ia përmend Kurtit disa zarfe të Devollëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka thënë se është duke munguar koordinimi në mes të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti. Ai deklaroi se deputetët janë duke propozuar diçka tjetër, për të cilën kryeministri Kurti po bën një ekspoze tjetër.

Këto komente Haxhiu i bëri në Kuvendin e Kosovës, teksa fliste për shurjen e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Me dëgju kryeministrin dhe deputetët e grupit të tij parlamentar dhe me i dëgju qëndrimet që i takojnë një subjekti politik kish me ngrit dilema se çfarë po ndodh. Këta propozojnë diçka tjetër, kryeministri në pamundësi me koordinu me grupin e tij parlamentar, e bëri një ekspoze këtu jashtë konteksti. Ai edhe mundet me u tall me deputetët e tij por nuk mundet me u tall me qytetarë”, ka thënë Haxhiu.

Më tutje Haxhiu deklaroi se nuk e ka askënd të punësuar në AKP. Madje ai tha se personalisht as nuk ka privatizuar asgjë.

“E ke marrë mandatin. I ke 20.28% por pritshmërinë e qytetarëve nuk je duke i realizuar as 2%. Ne po të themi si opozitë, sjelle ligjin dhe bëje me ligj. Po thu që ka pasur vjedhje dhe ne po pajtohemi që ka pasur vjedhje. Çoj hajnat në burg. Unë nuk kam privatizuar asgjë, asnjë familjarë i imi nuk e privatizuar asgjë. As një të punësuar nuk e kam në AKP.  Ndeshte naj deputet i partisë tënde e ka najkon. Nuk po lëshohem në emra po e di edhe ti këtë. Unë po te them se krejt bordet që t’i i ke mundësi me i shkarku, mos na maltreto. Bëre një listë dhe sjelli këtu. E jotja është me udhëheq”, ka thënë Haxhiu.

Deputeti i PDK-së ka përmendur edhe një privatizim në Pejë, që sipas tij ka ndodhur nga një ish-deputet i PDK-së.

“Është një koleg i juaji që ka privatizuar në Pejë. Ai kolegu yt që ka privatizuar në Pejë, që ka qenë deputet i VV-së sa ishte në opozitë. Kur ka dalur në PSD, ka qenë një zarf që e ka marrë Albini prej Devollëve. Unë e di që ky e lufton korrupsionin , por ky zarfet i ka kapak qef. Kështu ka thënë deputeti juaj”, deklaroi më tutje Haxhiu.