Bekë Berisha: Mendoj se Istogun do ta fitoj pa balotazh

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, njëherësh edhe kandidat për kryetar të Komunës së Istogut, ka folur për pritjet e tij në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Në një prononcim për lajmi.net, Berisha ka deklaruar se do të fitojë garën për kryetar të Istogut pa balotazh.

Ai ka thënë se qytetarët e Istogut janë të lodhur nga udhëheqja 20-vjeçare e LDK-së në këtë komunë.

“Unë mendoj se do të fitoj pa balotazh, pasi që njerëzit nuk i besojnë më qeverisjes 20-vjeçare të LDK-së. Këtu ka ndodh korrupsion i madh, njerëzit janë dënuar e poashtu edhe kryetari është i dënuar”, ka deklaruar Berisha.

Tutje, ai ka thënë se edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kapacitete që të shkojë në balotazh në Komunën e Istogut.

“Vetëvendosje nuk ka kapacitete për me shku në balotazh, kështu që mendoj se do të jemi menjëherë fitues dhe do të vazhdojmë me punë”, ka përfunduar Berisha.

Kujtojmë se në Komunën e Istogut udhëheq Lidhja Demokratike e Kosovës që nga koha e pasluftës, pasi që kjo komunë konsiderohet si bastion i kësaj partie për arsye se është edhe vendlindja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.