Behrami për raportin e Borrellit: Dokumenti është autentik, BE-ja nuk është transparente

Artan Behrami nga Demokracia.com, i ka reaguar Bashkimit Evropian, pasi kjo e fundit mohoi se qëndron prapa dokumentit të publikuar, ku përmenden tema të ndryshme, duke nisur nga dialogu Kosovë-Serbi, marrëdhëniet e Kurtit me Gjykatën Speciale, liberalizimi i vizave dhe çështja e Mini-Shengenit.

Të gjitha këto pika janë diskutuar në darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor, ndonëse kryeministri Kurti nuk kishte treguar në konferencën e tij për media në Bruksel.

Përmes një reagimi në Facebook, Behrami theksoi se sa herë që BE-së i shpërfaqet fytyra e vërtetë në publik, ajo ose hesht ose mundohet t’i mohojë dëshmitë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë për portalin klankosova.tv se një dokument i tillë nuk është shkruar nga ata.

“Zakonisht nuk i komentojmë raportet e mediave në lidhje me dokumentet e pretenduara të BE-së, në këtë rast të veçantë “dokumenti” është një falsifikim i plotë dhe diçka e tillë nuk u prodhua kurrë nga BE”, ka thënë Stano.

Lidhur me këtë, Behrami ka thënë se autenticiteti i dokumentit është verifikuar nga burime përbrenda Bashkimit Evropian, përfshirë shtete anëtare të tij.

“Sa herë që BE-së i shpërfaqet fytyra e vërtetë në publik, ajo ose hesht ose mundohet t’i mohojë dëshmitë, me shpresë që nuk provokon ndonjë debat më të madh. I tillë qenka edhe ky distancimi jo-profesional dhe shumë amataresk prej dokumentit të vet, në përpjekje për ta ruajtur “besueshmërinë” e munguar mes palëve. Dokumenti, i verifikuar me burimet tona, pa fije dyshimi, është autentik dhe nuk kemi të bëjmë me kurrfarë falsifikimi në këtë mes, pos me falsitetin e Bashkimit Evropian, i cili luan lojëra të shumëfishta me të gjithë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Behrami.

Behrami po ashtu ka thënë se nëse BE-ja e quan falsifikim, atëherë, duhet t’i demantojë temat që janë shkruar në këtë raport!

“Autenticiteti i dokumentit është verifikuar me disa burime përbrenda Bashkimit Evropian, përfshirë shtete anëtare të tij.  Këtë dokument e kemi pranuar nga përfaqësues të një shteti anëtar të BE-së dhe e kemi verifikuar më diplomatë tjerë evropianë para se ta botojmë. Nëse BE-ja e quan falsifikim, atëherë le t’i demantojë temat që janë shkruar në këtë raport”, ka shkruar tutje Behrami.

Sipas tij, BE nuk do që publiku të bëhet kundërshtar i diskutimeve aktuale brenda EEAS për Kosovën

“Pyetja është se cili është pozicioni i EEAS mbi çështjet si zgjatja e mandatit të EULEX-it, Mini-shengenin me fusnotë, mbi situatën në veri të Kosovës për faturat e energjisë elektrike dhe synimin për ta finalizuar dialogun gjatë Presidencës Sllovene?  Këto janë çështjet që BE-ja nuk dëshiron t’u përgjigjet. Ata nuk duan që publiku të bëhet kundërshtar i diskutimeve aktuale brenda EEAS për Kosovën.  Transparenca është diçka që BE-ja kurrë nuk e dëshiron për veten e saj. Por, ne do të vazhdojmë me punën tonë, me më shumë raportime dhe dokumente që do ta mbajnë publikun të informuar se cila është agjenda e Brukselit në Kosovë.  Nëse ata nuk duan të jenë transparentë, ne do të bëjmë punën tonë për ta mbajtur publikun të informuar”, ka shkruar në fund Behrami.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, Demokracia.com, ka publikuar raportin zyrtar të shefit të diplomacisë, Josep Borrell që i është shpërndar Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili është përpiluar pas darkës joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor, takim në të cilin mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. /Demokracia.com/