Behrami: Nëse dalin pretendimet e Vuçiqit për çnjohje, mëkatet i ka Gërvalla

Artan Behrami, ish-këshilltari i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ka thënë se nëse pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë të vërteta për çnjohje nga nëntë shtetet, atëherë faji duhet t’I bartet kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvallës.

“Nëse dalin pretendimet e Vuçiqit për çnjohjen e nëntë shteteve të vërteta, atëherë meritat nuk i ka as Vuçiqi e as Daciqi, por i ka Donika Gërvalla”, ka deklaruar Behrami në ‘Facebook’, shkruan Demokracia.com.

Lidhur me këtë, Behrami ka thënë se kryediplomatja i ka hequr nga pozita diplomatët me përvojë që kanë qenë duke punuar me shtetet ku kanë ushtruar ndikimin e tyre Serbia dhe Rusia.

“Donika i ka larguar të gjithë diplomatët që kanë pasur përvojë dhe kanë menaxhuar shtetet, të cilat kanë qenë nën trysninë e Rusisë dhe Serbisë. Derisa ata pak diplomatë që kanë mbetur, Donika i ka izoluar dhe çdo ditë ushtron presion ndaj tyre. Në krejt mandatin e saj, Donika është marrë me etablimin e klubeve të diasporës, duke hequr dorë nga njohjet dhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare!”, ka thënë ndër të tjera ai.

Në fund, Behrami ka ironizuar me një deklaratë të presidentes Vjosa Osmani për politikë të jashtme.

Postimi i plotë: