Behgjet Pacolli ofron shpërblim për atë që ndihmon në kapjen e Dardan Krivaqës

Lideri i Aleancës Kosova e Re ka ofruar shpërblim për këdo që jep informacione për gjetjen e të dyshuarit për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, Dardan Krivaqa.

Pacolli përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se ndihet i trishtuar për këtë ngjarje të rëndë që ndodhi të dielën në Ferizaj.

“Unë ofroj shpërblim për këdo që i jep informacion të vlefshëm Policisë së Kosovës që çon në arrestimin e vrasësit të Marigonës. Si baba i tre vajzave, ndihem i trishtuar për këtë ngjarje të rëndë!”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës po vazhdon kërkimin e Dardan Krivaqës, i dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, ndërkaq qytetarët po mundohen t’i dalin në ndihmë organeve shtetërore për kapjen e tij.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj kërkon bashkëpunim nga qytetarët, për identifikimin dhe vendndodhjen e personit Dardan Emrush Krivaqa, i cili dyshohet për “Vrasje të rëndë” në Ferizaj.

Vrasja e rëndë, ka ndodhur dje më 22.08.2021 në Ferizaj, ku humbi jetën 18 vjeçarja M.O.

“I njëjti, i dyshuari deri më tani nuk është paraqitur në polici dhe është në arrati. Personi i kërkuar është Dardan (Emrush) Krivaqa, lindur më 25.08.1992, adresa rr ‘Ramadan Rexhepi’, Ferizaj”, thuhet në komunikatë.

Policia kërkon nga qytetarët që kushdo që ka ndonjë informacion rreth këtij personi dhe vendndodhjen e tij të lajmërojnë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë : 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

Të dhënat thuhet se do të jenë në konfidencialitet të plotë.