Kryetari i AKR-së

Behgjet Pacolli: Albin Kurti krijoi drama të panevojshme me dinarin serb

Të martën, çështja e dinarit ktheu në tryezën e dialogut Kosovën dhe Serbinë.

Por, për dallim nga herët e tjera takimi nuk ndodhi as në nivel të lartë e as në nivel kryenegociatorësh.

Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, derisa atë të Serbisë, kryenegociatori Petar Petkoviq.

Kjo, për shkak që zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit kryenegociator Besnik Bislimi ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së Brukselit për takim për çështjen e dinarit, me arsyetimin se kjo temë nuk është pjesë e dialogut.

Lidhur me këtë për Front Online ka folur ish-ministri i Punëve të Jashtme, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ai për këtë takim ka thënë se nuk ka pasur asnjë ecuri.

Sipas tij, derisa Qeveria e Kosovës është deklaruar që çështja e dinarit nuk do të jetë pjesë e bisedimeve në dialog, atëherë s’është dashur të dërgohet guvernatori i Bankës Qendrore në një takim me politikanë.

“Nuk ka pasur asnjë ecuri. Nëse merr qëndrimin se çështja e dinarit serb nuk do të diskutohet në dialog, siç ka thënë qeveria më parë, nuk dërgohet guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës në një takim me politikanë nga Bashkimi Evropian si ndërmjetës dhe nga Serbia. Çka ka ndodhur është ajo që zakonisht ndodh në Kosovë: hidhet pluhuri në sytë e njerëzve duke thënë se nuk ka dialog për dinarin dhe dërgohet dikush që nuk njihet nga as 1000 vetë në Kosovë për të kuptuar se kush është guvernatori dhe cili është roli i tij. Pra, një proces dramash që nuk sjell asnjë përfitim për vendin”, është shprehur Pacolli.