Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është tashmë e njohur për gabimet drejtshkrimore ku kohë pas kohe merr vëmendje të madhe, shkruan Ballkani.info.
Në një postim të ditës së djeshme, Nagavci në Facebook u shpreh kështu: “Vitin e kaluar për herë të parë ua kemi krijuar mundësinë mësimdhënësve që të zgjedhin vet tekstin me të cilin duan të punojnë.”
Për këtë postim, ka reaguar faqja e njohur “VËREJTJE DHE RREGULLA GRAMATIKORE”, e cila shpjegoi një gabim të rëndë të ministres në përdorimin e përemrit vetvetor “vetë”./Ballkani.info/
Postimi i plotë:
Vet ata apo vetë ata?
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagafci, shkruan:
“Vitin e kaluar për herë të parë ua kemi krijuar mundësinë mësimdhënësve që të zgjedhin vet tekstin me të cilin duan të punojnë.”
Shpesh ngatërrojmë në shkrim përemrin vetvetor (identifikues) “vetë” me përemrin pronor “i/e vet”.
Përemri vetvetor shkruhet me -ë (vetë), kurse përemri pronor pa -ë’ (i/e vet).
Në fjalinë e cituar duhet të shkruhej: “…që vetë ata të zgjedhin tekstin…”, sepse kemi të bëjmë me përemër vetvetor dhe jo me përemër pronor!
-Prof. Ilmi Rexhepi







