Begaj takoi Plenkoviqin, vlerësoi mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi sot një drekë pune me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në kuadër të vizitës shtetërore në Kroaci.

Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i dha Shqipërisë për kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Pasi e uroi kryeministrin Plenkoviq për arritjet më të fundit të Kroacisë në kuadër të BE-së dhe për hyrjen në zonën Shengen e Eurozonë, Begaj nënvizoi se Kroacia mbetet shembulli më i mirë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë me ekspertë dhe ekspertizë.

Duke iu referuar partneritetit strategjik midis dy vendeve, siç u bë e ditur, të dy bashkëbiseduesit nënvizuan marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera, si dhe nevojën e avancimit të tyre edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik.

“Pavarësisht tendencave pozitive në drejtim të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, ende jemi larg shfrytëzimit sa duhet të mundësive që ekzistojnë në këtë drejtim”, u shpreh Begaj.

Ndërsa, në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit evropian, Begaj shprehu mirënjohje për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Shqipërisë vlerësoi gjithashtu kontributin dhe mbështetjen e madhe që Kroacia i ka dhënë Kosovës në të gjitha aspektet, përfshirë edhe mbështetjen për anëtarësimin e saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

“Kroacia dhe Qeveria juaj kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme në këtë drejtim dhe ju siguroj se shqiptarët janë mirënjohës për këtë mbështetje”, tha Begaj.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mundësisë së rritjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit, ku interesi i përbashkët është vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Zagreb, por edhe të linjave detare që lidhin portin e Durrësit me portet e Kroacisë.

Plenkoviq e siguroi presidentin Begaj për vullnetin e palës kroate në çuarjen përpara të këtyre projekteve me interes të ndërsjellë.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek agresioni ushtarak rus në Ukrainë, si dhe te ndikimi i këtij agresioni në rajonin e Evorpës Juglindore apo rreziku që kanoset nga interesi i palëve të treta jo miqësore për të nxitur trazira dhe për të dëmtuar stabilitetin e rajonit.

Begaj në Kroaci, bashkëpunimi ndërparlamentar është i domosdoshëm

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është pritur në takim nga kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviç, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mes dy shteteve.

Në takim ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e minoritetit shqiptar në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj.

“Për Presidentin Begaj, vetë prania e Prljaskaj në Parlamentin e Kroacisë, është një tregues i marrëdhënieve të afërta mes dy vendeve dhe garanci për forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, Presidenti Begaj u shpreh se bashkëpunimi ndërparlamentar është i domosdoshëm. Vazhdimi i shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë mes parlamentarëve të të dy vendeve është gjithashtu me rëndësi për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.