Befason Kurti: Ja posti që do t’ia jap Vjosa Osmanit nëse bëhem kryeministër

Albin Kurti, kandidat i VV-së për kryeministër, ka thënë se nëse ai fiton në zgjedhjet e 6 tetorit, pas fitores, kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani, do ta bëjë kryeparlamentare.

Ai ka thënë në Rubikon se nëse nuk fiton VV-ja, “do të mbetet shteti i kapur dhe PDK-ja në pushtet”.

Një teori që PDK-ja e VV-ja të jenë bashkë në opozitë, sipas Kurtit, është e pamundshme. “Jemi dy pole. O ne o PDK-ja”.

“Nesër kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Më mandatojnë për kryeministër. Pas fitores, unë e bëj zonjën Vjosa kryeparlamentare. Nëse s’jemi të parët, nuk shoh ç’kapje të shtetit”, ka thënë ai duke shtuar se nëse LDK-ja fiton dhe i ofron VV-së bashkëpunim, “në situatë të tillë hipotetike duhet të kthehen te këshilli i përgjithshëm”.

Ai ka thënë se nuk duhet të shihet si dështim edhe nëse nuk fiton as në zgjedhjet e tetorit.

Sipas tij, VV-ja do të fitojë më shumë se 1/3 e ulëseve në Kuvend me synimin që të marrë rreth 250 mijë vota.

Duke komentuar kundërkandidatët, Kurti ka thënë se ka respekt për Osmanin e LDK-së, ndërsa për Kadri Veselin e PDK-së, Ramush Haradinajn nga koalicioni AAK-PSD dhe Fatmir Limaj nga Nisma-AKR, ka thënë se “ata tashmë i takojnë së kaluarës, dhe po sillen si opozitarë”.

“Tre udhëheqësit e PAN-it që kurrë mos na u ktheftë në Qeveri”, ka thënë ai.

loading…