Befasi nga Sarajeva, kryesuesi i Presidencës boshnjake, uron Kosovën për Ditën e Pavarësisë

Kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka dërguar urimet e tij në adresë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së Pavarësisë , shkruan Oslobodenja.ba.

Komshiq ka bërë të ditur lidhjet në mes të dy shteteve në rrugën drejt arritjes së synimeve të përbashkëta. Ai ka shtuar tutje bashkëpunimi me Kosovën në çfarëdo fushe është i një rëndësie të veçantë, meqë të dy shtetet ndajnë të njejtat vlera dhe kanë të njejtat prioritete sa i përket strategjisë në politikë të jashtme.

“I uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe juve personalisht, në emër timin dhe në emër të qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës, gëzuar Ditën e Pavarësisë. Jam i inkurajuar nga përmirësimi i raporteve në mes të dy vendeve, dy vendeve mike. Ne jemi të bindur që rruga e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe çfarëdo bashkëpunimi tjetër në mes të Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës do të jetë i një rëndësie të veçantë për qytetarët e vendeve tona në të ardhmen e afërt. Bosnja e Hercegovina dhe Republika e Kosovës ndajnë të njëjtat politika dhe prioritete sa i përket strategjisë së politikës së jashtme, anëtarësimit në NATO dhe në BE. Vetëm bashkë dhe në bashkëpunim me partnerët që ndajnë të njëjtat vlera, ne mund t’i arrijmë synimet tona”, ka thënë Komshiq.

Ky urim i Komshiq vjen edhe pse Bosnja e Hercegovina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Derisa Komshiq në vazhdimësi ka përsëritur se puna e pavarësisë së Kosovës është çështje e kryer.