Bedri Hamza, zyrtarisht kryetar i Mitrovicës

Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës, Bedri Hamza e mori detyrën e të parit të kësaj komune.

Ai para të pranishmëve tha se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Mitrovicën.

“Kjo është ditë e rëndësishme për komunën tonë, jemi mbledhur sot pas një procesi zgjedhor që ishte shembull i kulturës dhe i sjelljes demokratike të mitrovicasve si dhe vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu”, u shpreh ai.

Tutje, Hamza shtoi se bindjet politike, përkatësitë partiake janë vlera të diversitetit që përfaqëson Mitrovica

“Jam i lumtur nëse në të ardhmen të gjithë ne, përtej bindjeve politike do ta thellonim bashkëpunimin institucional dhe politik për Mitrovicën dhe për të mirën tonë të përgjithshme. Bindjet politike, përkatësitë partiake janë vlera të diversitetit që përfaqëson Mitrovica”, tha Hamza.

Ai u zotua se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës.

“Zotohem se si Kryetar do të jem në shërbim të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, pa dallim”, u shpreh Hamza.

Dy ish kryetarët e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe Mursel Ibrahimi, ishin të pranishëm në mbledhjen inauguruese të Bedri Hamzës.