Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me biznesmenë dhe zejtarë të Prizrenit në ambientet e ESNAF-it, ku ka diskutuar për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të sektorit privat.
Gjatë këtij takimi, Hamza ka theksuar se bisedat e drejtpërdrejta me bizneset krijojnë mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe për hartimin e politikave më të favorshme për sipërmarrësit. Ai ka prezantuar disa masa konkrete që, sipas tij, do të lehtësojnë barrën financiare dhe burokratike për bizneset.
Një nga ndryshimet kryesore të propozuara është pagesa e TVSH-së për mallrat e importuara pas shitjes dhe jo menjëherë në kufi, çka pritet të përmirësojë likuiditetin e bizneseve. Po ashtu, bizneset me qarkullim deri në 10 mijë euro do të lirohen nga tatimi, ndërsa ato me qarkullim deri në 30 mijë euro do të tatohen sipas fitimit real.
Hamza ka theksuar edhe rëndësinë e përmirësimit të qasjes në kredi dhe krijimit të kushteve më të favorshme për investitorët, masa që synojnë rritjen e konkurrencës dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Bashkë për zhvillimin e sektorit privat, përpara për Kosovën”, ka përfunduar Hamza, duke ritheksuar vizionin e PDK-së për zhvillim ekonomik dhe mbështetje të fuqishme për bizneset vendore.







