“BE t’iu japë fund ideve për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor”

Bashkimi Evropian duhet ta mbyllë Kutinë e Pandores mbi idenë për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor dhe të ofrojë plan të besueshëm me qëllim të përfshirjes graduale të të gjithave vendeve të rajonit në tregun unik evropian deri në vitin 2025, thuhet në raportin e Institutit të Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), transmeton Koha.net.

“Bashkimi Evropian do të duhej ta mbyllte Kutinë e Pandorës të bisedimeve të mëtejme për caktim të kufijve të rinj përgjatë vijave etnike. Njëkohësisht BE duhet ta hartojë një strategji të besueshme ashtu që Serbia, Kosova dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor të mundë të përparojnë drejt integrimit me pjesën tjetër të Evropës. Është çështje e luftës ose paqes që ky vizon të jetë i besueshëm, përcjell shkrimin e Reutersit agjencia kroate e lajmeve Hina.

Në raport theksohet se presidentët e Serbisë dhe të Kosovës, Aleksandar Vuçiqi dhe Hashim Thaçi, në konferencën e mbajtur gjatë gushtit të vjetëm në Alpbach të Austrisë, thanë se po e shqyrtonin ndryshimin e kufijve dhe se kjo ide kishte hasur në mirëkuptim te disa diplomatë evropianë dhe në SHBA qëkur John Bolton ishte bërë këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump.

Në pjesën më të madhe të raporti t të quajtur “Hipnotizuesi – Aleksandar Vuçiqi, John Bolton dhe kthimi në të kaluarën”, flet për idenë e këmbimit të territoreve si zgjidhej për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës, ai arsyeton gjerësisht se pse kjo ide është e rrezikshme për stabilitetin e Evropës Juglindore deh rekomandon që Bashkimi Evropian ta hedhë poshtë.

Theksohet se Vuçiqi, për të cilin thotë se “është artist i mirë që di të bëhet sharmant “, ka një retorikë për bashkëbiseduesit ndërkombëtarë dhe një tjetër për opinionin vendor, ndërsa aty përmenden edhe deklarata luftënxitëse të ministrave të tij, transmeton Koha.net.

“BE duhet t’ia tërheqë vëmendjen Vuçiqit se deklaratat luftënxitëse të ministrave në Qeverinë serbe duhet të ndalen. Kërcënimet me ndërhyrje ushtarake në veri të Kosovës janë të papranueshme. Gjermania, Franca dhe vendet tjera të BE-së duhet të tregojnë qartë se janë të gatshme të marrin përgjegjësinë për sigurinë në Ballkan nëse në çfarëdo momenti presidenti i SHBA-së vendos t’i tërheqë ushtarët amerikanë”, thotë raporti .

Në këtë raport, të publikuar javën e shkuar, shtohet se “Vuçiqi e kupton forcën në të gjitha format e saj: Forcën e karizmit, forcën e rrëfimit, forcën e rrëfimit paqësor të kërcënimit, forcën e ngritjes së pritshmërisë dhe forcën e hedhjes së fajit dikujt tjetër”.

ESI thekson se nuk ka gjasa që cilido vend i Ballkanit Perëndimor të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian para vitit 2025 dhe rekomandon që BE të ofrojë plan konkret se cilave vende të rajonit do t’ua japë perspektivën e qartë.

Ky plan do të duhej të përfshinte qëllimin konkret që të gjitha vendet e Ballkanit që përmbushin kushtet e kërkuara, të bëhen anëtare fuqiplota të tregut unik deri në vitin 2025, thuhet ndër të tjera në raport.