BE: Të gjithë liderët e Ballkanit mbështesin vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian në njoftimin për media pas takimit, ka thënë se për shkak të perspektivës së qartë që Ballkani Perëndimor ka për Bashkimin Evropian, Mogherini dhe përfaqësuesit e rajonit kanë rishikuar progresin substancial të arritur dhe kanë shikuar detyrat që i presin.

“Ata shfaqën mbështetjen për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë Veriore dhe për Shqipërinë, duke theksuar se ky vendim është qenësor, jo vetëm për dy vendet e përfshira, por për tërë rajonin dhe për BE-në. Të gjithë ata mbështetën vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e hershme të një marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Tutje theksohet se të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuar përkushtimin e tyre të fuqishëm drejt perspektivës së BE-së, duke potencuar se puna në reforma vazhdon sikurse edhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Mogherini dhe liderët e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritet me Shqipërinë pas tërmeteve të fuqishme atje gjatë fundjavës.

loading…