BE-Serbisë: Normalizimi i raporteve me Kosovën kusht për anëtarësim

Komisioneri Evropian për Zgjerim Oliver Varhelyi tha se hapja e katër kapitujve me BE-në  paraqesin një sinjal të fortë politik të përkushtimit të Bashkimit Evropian për pranimin e Serbisë në bllok dhe se sundimi i ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën mbeten kyçe për procesin e anëtarësimit.

Duke folur në një konferencë për shtyp pas konferencës ndërqeveritare Serbi-BE, eurokomisioneri tha se negociatat për një grup, të përbërë nga katër kapituj, po hapen për herë të parë. Kështu, siç shtoi ai, Serbia po bën një hap tjetër të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE.

Edhe sekretari shtetëror në Ministrinë për Punë të Jashtme të Sllovenisë, Gasper Dovzan, vendi i të cilit e ka në udhëheqje presidencën e Bashkimit Evropian ndan të njëjtin mendim me Varhelyi sa i përket çështjes së normalizimit të raporteve të Serbisë me Kosovën dhe rrugën e saj drejt integrimit evropian, njofton Klankosova.tv.

“Hapja në të njëjtën kohë e katër kapitujve sjell dinamizëm shtesë në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”.

Kapitujt 14 (politika e transportit), 15 (energjia), 21 (rrjetet trans-evropiane) dhe 27 (mjedis) janë hapur sot brenda grupit 4, i cili i referohet Agjendës së Gjelbër dhe lidhjes së qëndrueshme.