BE: Po punojmë për ta gjetur një zgjidhje rreth targave

Bashkimi Evropian po kërkon që në asnjë mënyrë të mos ketë përshkallëzim të situatës në veriun e vendit.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano ka thënë për mediat se Bashkimi Evropian po punon për ta gjetur një zgjidhje rreth targave.

“Disa herë në të kaluarën kemi thënë se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të parandalohet çfarëdo tensionimi, i cili mund të çojë deri te përshkallëzimi i situatës. Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia e Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë progres në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara. Siç kemi thënë, [ato] duhet të punojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e raporteve. Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo shkëndije e përshkallëzimit të situatës”, tha Stano më 27 tetor.

Reagimi nga BE-ja vjen pasi Lista Serbe paralajmëroi bllokim të rrugëve, nëse ka ndonjë veprim për konfiskimin e veturave me tabela ilegale.