BE: Përfitimet e vaksinës Johnson&Johnson dhe AstraZeneca janë më të mëdha se rreziqet

Johnson & Johnson të martën ka njoftuar se do të rifillonte shpërndarjen e vaksinës së saj kundër COVID-19 në Evropë, pasi Rregullatorët e Barnave të Bashkimit Evropian thanë se duhet të shtohej një paralajmërim në produkt që tregon një lidhje të mundshme me mpiksjet e rralla të gjakut, por që përfitimet e tij janë më të mëdha sesa rreziqet.

Agjencia Evropiane e Barnave  tha se kishte dalë me rekomandimet e saj përpara rregullatorëve amerikanë, duke e bërë këtë pasi kishte kaluar shumë kohë duke shqyrtuar raste të ngjashme që dolën me vaksinën AstraZeneca.

“Kombinimi i raportuar i mpiksjes së gjakut dhe trombociteve të ulëta të gjakut është shumë i rrallë, dhe përfitimet e përgjithshme të vaksinës Janssen në parandalimin e COVID-19 tejkalojnë rreziqet e efekteve anësore”, tha Agjencia Evropiane e Barnave në një deklaratë, duke iu referuar kompanisë që është në ombrellën e Johnson&Johnson që prodhon vaksinat, Janssen.

Rregullatorët e barnave të Bashkimit Evropian përfundimisht zbuluan se përfitimet e vaksinës AstraZeneca tejkaluan rreziqet. Shumë evropianë kanë refuzuar të marrin vaksinën, edhe pse disa  vende të Bashkimit Evropian kanë kufizuar përdorimin e saj tek njerëzit e moshuar, pasi shumica e atyre që preken nga mpiksjet e rralla ishin më të rinj se 60 vjeç.

Zyrtarët shëndetësorë amerikanë bënë thirrje për një pauzë në përdorimin e vaksinës më 13 prill për të ekzaminuar një çrregullim të rrallë të mpiksjes së gjakut që u shfaq në një numër të vogël të marrësve. Johnson&Johnson e pezulloi shpërndarjen menjëherë pas kësaj.

Vendet e Bashkimit Evropian sapo kishin filluar të merrnin dërgesat e tyre të para të vaksinës, dhe të gjithë përveç Polonisë ndoqën udhëzimet e kompanisë dhe nuk kanë filluar ta administrojnë atë.