BE për masakrën e Reçakut: E kaluara nuk mund të zhbëhet

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përkujtuar masakrën e Reçakut.

Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, BE në Kosovë ka thënë se kujtojnë dhe nderojnë të gjitha viktimat e kësaj masakre, duke shtuar se e ardhmja duhet të sjellë drejtësi dhe lehtësim.

“Sot shënohet 24 vjetori i masakrës së Reçakut. Ne kujtojmë dhe nderojmë viktimat dhe ndajmë dhimbjen dhe zinë e pangushëllueshme të familjeve të tyre. E kaluara nuk mund të zhbëhet, por e ardhmja duhet të sjellë drejtësi, mbyllje dhe lehtësim” thuhet në njoftimin e tyre.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur nga forcat serbe. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit, Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kishin filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe ishin futur në fshat dhe kishin filluar bastisjet. Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.