BE nis zbatimin e planit për ta ndëshkuar Vladimir Putinin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur dje se organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE) që ajo udhëheq  do të punojë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për të “ndihmuar në ngritjen e një gjykate të specializuar për të gjykuar krimet e Rusisë”.

Ajo theksoi se Rusia duhet të paguajë çmimin financiarisht për shkatërrimin që po shkakton në Ukrainë dëm ky që kap vlerën  rreth 600 miliardë euro. Përmes një mesazhi që ajo ndau në Twitter ajo u shpreh se “Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë për dëmin dhe të mbulojnë kostot për rindërtimin e vendit”.

Më tej ajo njoftoi se blloku evropian tashmë ka bllokuar 300 miliardë euro të rezervave të Bankës Qendrore Ruse dhe ka ngrirë 19 miliardë euro të holla të oligarkëve rusë. Ndaj ajo mendon që kjo vlerë  duhet të përdoret si  kompensim i plotë  për Ukrainën. Shefja e KE-së mendon të ndërtojë një  strukturë të posaçme  me partner të tjerë për të menaxhuar këto fonde dhe për t’i investuar ato në Ukrainë. Ajo theksoi se me partnerët do të punojnë për një marrëveshje ndërkombëtare për ta bërë të mundur këtë. Deri më tani mendohet se 20.000 civilë kanë humbur jetën dhe më shumë se 100.000 oficerë ushtarak  janë vrarë.

BE tha se heqja e kufizimeve mbi pasuritë ruse mund të lidhet me përfundimin e një marrëveshje paqeje midis dy vendeve, që do të zgjidhte çështjen e kompensimit të dëmeve. Hetime për krime të kryera gjatë luftës në Ukrainë janë duke u zhvilluar në mbarë Evropën dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka nisur tashmë hetimet  e saj në lidhje me sulmet vdekjeprurëse ndaj objekteve civile në Ukrainë nga forcat  e ruse. Që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës, forcat e tij ushtarake janë akuzuar për abuzime ndaj popullsisë Ukrainase.