BE kërkon një gjykatë të specializuar për të hetuar krimet e luftës në Ukrainë

Bashkimi Evropian propozoi të mërkurën të ngrihej një gjykatë e specializuar e mbështetur nga OKB për të hetuar krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë dhe për të përdorur asetet e ngrira ruse për të rindërtuar vendin e shkatërruar nga lufta, shkruan AP.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha në një video-mesazh se BE-ja do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të marrë “mbështetjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare” për gjykatën, duke vazhduar të mbështesë punën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, forcat e tij ushtarake janë akuzuar për abuzime që variojnë nga vrasjet në periferi të Kievit në Bucha deri te sulmet vdekjeprurëse ndaj objekteve civile, duke përfshirë bombardimin e 16 marsit të një teatri në Mariupol.

Hetimet e krimeve ushtarake të kryera gjatë luftës në Ukrainë janë duke u zhvilluar në mbarë Evropën dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare me bazë në Hagë ka nisur tashmë hetimet.

Von der Leyen shtoi se blloku 27-vendesh dëshiron ta detyrojë Rusinë të paguajë për shkatërrimin që shkaktoi në Ukrainën fqinje duke përdorur asetet ruse të ngrira nën sanksione. Ajo vlerësoi dëmin e Ukrainës në 600 miliardë euro.

“Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë Ukrainën për dëmin dhe të mbulojnë kostot për rindërtimin e vendit”, tha von der Leyen. “Ne kemi mjetet për ta bërë Rusinë të paguajë.”

Von der Leyen tha se 300 miliardë euro të rezervave të bankës qendrore ruse janë bllokuar dhe se 19 miliardë euro para të oligarkëve rusë janë ngrirë.

BE tha se heqja e kufizimeve në asetet ruse mund të lidhet me përfundimin e një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë që do të zgjidhte çështjen e kompensimit të dëmeve.