BE-ja ua heq vizat këtyre dy vendeve, Kosova mbetet e izoluar

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ka miratuar mandatin negociues të Këshillit Evropian për liberalizimin e vizave për Kuvajtin dhe Katarin.

Këshilli Evropian në një komunikatë për media, ka bërë të ditur se në bazë të këtij mandati, presidenca do të fillojë negociatat me Parlamentin Evropian, përcjell Demokracia.com.

Këshilli konfirmoi propozimin e Komisionit për të parashikuar udhëtimin pa viza për qytetarët e këtyre dy vendeve kur udhëtojnë në BE për një kohëzgjatje maksimale prej 90 ditësh për periudhën 180 ditore.

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli ndërmori hapin e parë drejt heqjes së vizave për Kuvajtin dhe Katarin, i cili duhet të zbatohet pas përfundimit të marrëveshjeve dypalëshe me këto vende.

Ndryshe, më 27 prill të këtij viti, Komisioni Evropian publikoi një propozim për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kuvajtit dhe Katarit, përcjell Demokracia.com.

Ani pse Kuvajti e Katari po e fitojnë heqjen e vizave, në kontinentin e Evropës gjendet edhe një shtet që nuk gëzon liberalizim, pavarësisht plotësimit të kushteve, e që bëhet fjalë për Kosovën.

Vendi, që nga viti 2018, ka marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave, pasi Komisioni ka konkluduar se i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Komisioni vazhdon ta mbajë këtë qëndrim, por janë disa vende anëtare, si Franca, që shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.