BE

BE-ja pret nga Kosova e Serbia përparim në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano, ka thënë se ende nuk ka një datë për caktimin e një takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Stano ka thënë se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, u ka bërë të qartë dyja palëve se BE-ja pret përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, vizitoi Prishtinën e Beograd, në kuadër të kornizës së punës që po e bën, duke u angazhuar me partnerët në terren, për të shtyrë para dialogun, për t’u bërë të qartë të dyja palëve se BE-ja pret përparim në këtë. Është propozimi i BE-së se si të shtyhet para ky dialog dhe progres drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.

Stano sa i përket takimit të radhës të nivelit të lartë, ka thënë se “BE-ja është gjithmonë e lumtur të organizojë dhe mundohet të organizojë një takim të tillë”. Por, ka shtuar se nuk ka ende një datë dhe se kur të ketë do të njoftohet në mënyrën e duhur.