BE-ja njofton takimin e ardhshëm Kosovë-Serbi

Duke komentuar ofertën e kryeministrit malazez Dritan Abazoviq që Mali i Zi të jetë mikpritës i raundit të ardhshëm të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, shprehu kënaqësinë që dialogu është bërë popullor në rajon, por shtoi se selia e dialogut është ende në Bruksel.

Në një konferencë për shtyp për korrespondentët e Brukselit, Stano tha se BE-ja është e kënaqur që dialogu është bërë popullor në rajon dhe se gjithnjë e më shumë vende po ofrojnë mundësinë për të pritur bisedimet e ardhshme, transmeton Paparaci.

“Ne jemi të kënaqur që shohim se dialogu po bëhet popullor në rajon dhe se gjithnjë e më shumë vende po ofrojnë mundësinë për ta pritur atë, por ne po ecim hap pas hapi, selia e dialogut është në Bruksel”, tha Stano.

Ai njoftoi se javën e ardhshme në Bruksel do të mbahet takimi i negociatorëve kryesorë të Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim që të arrijmë progres në gjithçka që është rënë dakord në Ohër dhe të hedhim hapat e parë drejt zbatimi.

Sipas tij, në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër është arritur një hap i rëndësishëm dhe se tani është e rëndësishme të punohet në zbatimin e marrëveshjes dhe aneksit.

Ai kujtoi gjithashtu se marrëveshja pati një epilog gjatë Këshillit të Ministrave të Jashtëm, ku shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i njoftoi ministrat e BE-së për këtë, si dhe gjatë Këshillit Evropian, kur liderët e mbështetën marrëveshjen dhe theksuan se “të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e shpejtë të detyrimeve”.

“Ne kemi filluar punën institucionale për të funksionalizuar hapat e parë, domethënë harmonizimin e qëndrimit të përbashkët kur është fjala për kapitullin 35 dhe hapat përkatës nga ana e Kosovës”, tha Stano.