BE-ja ndihmon Kosovën me 26,5 milionë euro për luftën me pandeminë

Kosova do të ndihmohet nga Bashkimi Evropian në luftën kundër COVID 19 me 26.5 milion euro.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

Në këtë njoftim thuhet se shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, dhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nënshkruajnë sot një kontratë me vlerë prej 26.5 milion euro.

Kontrata është e dizajnuar për t’i përkrahur përpjekjet e Qeverisë në adresimin e pasojave ekonomike të pandemisë COVID-19.

Pagesa e parë prej 20.5 milion pritet të realizohet para fundit të këtij vit.

Momentalisht në Kosovë është rritur numri i të prekurve nga COVID 19.

Shifrat e larta kanë mobilizuar institucionet që kanë marrë disa masa të reja preventive. Qeveria gjithashtu ka bërë të ditur se do të i ndihmojë edhe më tutje bizneset dhe ata që kanë pasur humbje nga pandemia. Megjithatë, në Kuvend të Kosovës ende nuk ka arritur të kalojë në lexim të dytë Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.