BE i hap rrugën një karikuesi universal për të gjitha pajisjet, duke e detyruar Apple të përshtatet

Parlamenti Evropian miratoi rregulla të reja të martën që do të prezantojnë në Bashkimin Evropian një karikues të vetëm për telefonat celularë, tabletët dhe kamerat deri në vitin 2024, gjë që do detyrojë Apple të ndryshojë politikat e veta.

Ndër ofruesit e mëdhenj të pajisjeve elektronike për klientët europianë, Apple pritet të jetë ndër më të prekurit, por analistët presin gjithashtu një ndikim të mundshëm edhe në Samsung, Huawei dhe prodhues të tjerë pajisjesh.

Apple në të kaluarën ka paralajmëruar se propozimi do të dëmtonte inovacionin dhe do të krijonte “një mal me mbeturina elektronike”.

Ligjvënësit e BE-së e mbështetën reformën me një shumicë të madhe, me 602 vota pro dhe vetëm 13 kundër.

Ndryshimi është diskutuar prej vitesh dhe u nxit nga ankesat e përdoruesve të iPhone dhe Android se duhej të kalonin në karikues të ndryshëm për pajisjet e tyre.

Komisioni Europian ka vlerësuar se karikuesi i vetëm do të kursente rreth 250 milionë euro për konsumatorët.