BE i bën bashkë Hotin e Vucicin: Takohen javën tjetër për të rifilluar dialogun

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vucic pritet të takohen më 12 korrik nën ndërmjetësimin e BE’së, për të rifilluar kështu dialogun për normalizimin e marrëdhënieve

Siç bën të ditur agjencia e lajmeve AFP, kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i BE’së, Peter Stano.

Ai ka thënë se të hënën, se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në raundin e ri të bisedimeve.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel do të mbajnë një samit të premten, më 10 korrik, me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë.

Ky samit pritet që të mbahet “online” dhe siç tha zyra e Macron, ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës e Serbisë, shkruan Gazeta Metro.

Sidoqoftë, ende nuk është e qartë se nga kush do të përfaqësohet Kosova në këtë samit.

Mbajtja e këtij samitit të Parisit dhe dialogu në Bruksel vjen pas shtyrjes të një takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, më 27 qershor.

Ky takim u shty pasi më 24 qershor, Zyra e Prokurorit Special njoftoi se u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Vlen të theksohet se njoftimi i Prokurorit u publikua vetëm tre ditë para takimit në SHBA, të cilin këta e konsideronin si historik.